Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, nxori një qarkore për prokuroritë e rretheve, ku kërkon marrjen e masave për gatishmëri për periudhën para dhe paszgjedhore të 14 majit. Çela i kërkon drejtuesve të prokurorive dhe prokurorëve të trajtojnë më prioritet dhe në afate optimale çdo referim apo kallëzim për veprat penale që cenojnë zgjedhjet e lira.
Sipas qarkores, në rastet e kërkesave për masa sigurimi personal dhe për masat e dënimit, prokurorët duhet të bëjnë kujdes dhe të vlerësojnë ashpërsimin e kërkimeve për veprat penale në fushën e zgjedhjeve që janë më të përhapura dhe me tendencë në rritje në shkallë vendi, apo në njësitë administrative përkatëse.
Po ashtu, kryeprokurori udhëzon krijimin e një rubrike në faqen në web të Prokurorisë së Përgjithshme për të ftuar qytetarët të kallëzojnë shkeljet e ligjit në lidhje me procesin zgjedhor.
/a.r