Një sherr i ndodhur katër ditë më parë në Tiranë i ka marrë jetën një 46-vjeçari, i cili ishte shtruar në spital për shkak të plagëve të marra.
Konflikti mes shtetasve Artur Gjolena, 41 vjeç, Henri Gjapi, 25 vjeç dhe Gentian Talja, 46 vjeç, ishte fatal për këtë të fundit.
Policia thotë se më 31 mars, në rrugën “Vaso Pasha”, Henri Gjapi është konfliktuar me Gentian Taljën, i cili për shkak të dëmtimeve u dërgua në spital, për ndihmë mjekësore.
Gjatë këtij konflikti, ka ndërhyrë edhe Artur Gjolena, i cili goditi Henri Gjapin. Si pasojë e dëmtimeve, 46-vjeçari ka ndërruar jetë në spital, ditën e djeshme.
Për Gjolenën janë referuar materialet në prokurorinë e Tiranës, ndërsa vijon puna për kapjen e shtetasit Henri Gjapi.
/a.r