Ditën e sotme zhvillohet seanca e tretë e gjyqit në Hagë për ish-krerët e UÇK-së. Këtë të mërkurë dha deklaratën hyrëse mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës tha se ndaj tij janë përdorur tortura çnjerëzore nga hetues serbë dhe është dënuar dy herë. Megjithatë ai theksoi se akuzat e sotme nga Specialja e lëndojnë më shumë se torturat që ka kaluar..
Venkateswari Alagendra, avokatja mbrojtëse e Jakup Krasniqit, tha se fakti që prokuroria insiston se në UÇK ka pasur një ndërmarrje të përbashkët kriminale, dhe pretendimi për qëllim të përbashkët kriminal “ishte i njohur dhe publik”, nuk qëndrojnë.
Ndërsa ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, në fjalën e tij para trupit gjykues, tha se ai “urren dhunën, vrasjen e torturat”, jo sepse ai ka qenë subjekt i dhunës, por sepse “i konsideroj të ulëta”.
“Kushdo që më njeh do t’iu thotë, se unë Jakup Krasniqi, asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje, burgosje në asnjë formë të presionit ndaj kujtdo qoftë”, tha ai.
Ai po ashtu tha se nuk e kupton logjikën e aktakuzës së ngritur ndaj tij, duke shtuar se “ndaj popullit tonë është nënshkruar dhunë sistematike”.
Jakup Krasniqi i ka quajtur “absurde” akuzat se ai, së bashku me të akuzuarit e tjerë, kanë “persekutuar” anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, siç pretendon prokuroria.
“Është absurde që të akuzohen për persekutimin e anëtarëve të LDK-së. Unë vetë isha anëtar i LDK-së. Familjarët e mi, bashkëluftëtarët e mi ishin anëtarë të LDK-së”, tha ai.
“Vetëm një mendje e çoroditur do të mund të mendonte se jam pjesë e persekutimit tim, të familjarëve të mi”, shtoi ai.
Krasniqi para trupit gjykues tha se gjatë kohës sa ka qenë zëdhënës i UÇK-së, është përpjekur që përmes deklarimeve të mbajë shpresën te populli për të vazhduar rezistencën.
“Në rolin tim si zëdhënës i UÇK-së jam përpjekur të jap përshtypje se jemi një strukturë e organizuar mirë për të mbajtur shpresë te populli”, tha ai.
Prandaj, Krasniqi tha se “deklaratat e mia duhet të shihen si pjesë e propagandës për të afirmuar luftën tonë çlirimtare”.
/a.r