Protestuesit janë rikthyer para Bashkisë, pasi kanë shkatërruar rrethimin e vendit ku do të ndërtohej parku i lojërave te Liqeni. Ata kanë marrë me vete edhe pjesët e gardhit rrethues, me të cilat kanë bërë rrethimin e bashkisë.
Protestuesit kanë lidhur me tela pjesët e rrethimit, duke lënë brenda tyre policinë bashkiake dhe hyrjen qendrore të ndërtesës së bashkisë.
Sipas raportimit direkt nga News 24, kryebashkiaku Veliaj gjendet në zyrën e tij, ku ka shkuar që në mëngjes.
“Veliaj do të shkatërrojë parkun. Mesazhi ynë është shumë i qartë, ne s’kemi për ta lënë. Liqeni i Tiranës është i vetmi objekt frymëmarrje që ka ky qytet. Partia Demokratike do të jetë çëdo ditë në protestë bashkë me qytetarët”, tha deputeti Gerti Bogdani.
Pas dy orëve e gjysmë, protesta merr fund aty ku nisi, para Bashkisë së Tiranës.