Këtë të martë para Gjykatës së Elbasanit ka dalë shtetasja ruse, Svetlana Timofeeva. Për shkak të refuzimit të vetë Timofeevas dhe për shkaqe të tjera prokuroria i ka kërkuar gjykatës të mos lejojë ekstradimin e shtetases ruse. Prokuroria arsyeton se shkaqet e mësipërme e bëjnë të besojë në mosrespektimin e të drejtave të saj në Rusi.
“Kërkesa e vendit tim duhet refuzuar. Kam bërë kërkesë si azil-kërkuese në Shqipëri dhe kjo kërkese e imja po shqyrtohet. Dua te qëndroj në Shqipëri dhe të mos më dërgoni në Rusi“- ka thënë ajo para Gjykatës.
Gjykata e Elbasanit do të japë vendimin më 13 prill ora 9:00. Pritet që beteja ligjore në Shqipëri të vijojë pasi 33-vjeçarja nuk pranon ekstradimin në vendin e saj i cili e akuzon për marrje në mënyrë të jashtëligjshme të informacioneve që përbëjnë sekret shtetëror.
Kujtojmë se Timofeeva, 33 vjeçe nga Rusia, u arrestua më 20 gusht të vitit 2022 së bashku me dy shtetas të tjerë, Mikhail Zorin, 23 vjeç nga Rusia dhe Fedir Aplatov nga Ukraina, pasi tentuan të hynin në ambientet e uzinës së armëve në Gramsh dhe hodhën sprej neuro-paralizues ndaj dy ushtarëve që ruanin objektin ushtarak.
/s.f