Gjykata Kushtetuese nuk do të pranojë shqyrtimin e kërkesave të ish gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kanë pretendime për shkelje gjatë procesit të Vetingut, ku në fund janë shkarkuar me vendim të formës së prerë. Në 13 mars 2023, Kushtetuesja ka vendosur që të refuzojë kalimin për shqyrtim në seancë plenare kërkesën e fundit, atë të ish gjyqtares së Apelit në Korçë, Entela Prifti. Zonja Prifti kërkonte nga Gjykata Kushtetuese rishikimin e vendimit të Kolegjit të Apelimit, që e shkarkonte atë nga detyra në formë të prerë, me pretendimin e një procesi jo të rregullt ligjor, pasi pjesë e trupës gjykuese ishte edhe Luan Daci, i shkarkuar dhe i dënuar më pas pasi kishte paraqitur të dhëna të rreme gjatë planit për t’u bërë pjesë e KPA.
Entela Prifti i referohej vendimit të datës 04.10.2022 të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), në çështjen Besnik Cani kundër Shqipërisë. Gjykata e Strasburgut ka pranuar pjesërisht paditë e ish prokurorëve Besnik Cani dhe Antoneta Sevdari, ndërsa ka rrëzuar plotësisht pretendimet e ish gjyqtareve Altina Xhoxhajn dhe Besa Nikëhasani. Gjykata ka vendosur rigjykimin e Besnik Canit nga Kolegji i Apelimit, për shkak se pjesë e trupës gjykuese në KPA gjatë procesit të shkarkimit, ishte edhe Luan Daci. Gjykata ka vendosur dëmshpërblim me 25 mijë euro për Antoneta Sevdarin, për shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që ka të bëjë me drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij.
Sipas Entela Priftit, Luan Daci, i cili ka marrë pjesë në trupin gjykues të KPA-së që ka që ka shqyrtuar çështjen e saj, është zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë në shkelje të kritereve ligjore për të qenë anëtar i atij organi. Ky gjyqtar ka qenë edhe anëtar i trupit gjykues që ka shqyrtuar çështjen e Priftit. Por, Gjykata Kushtetuese thekson se aneksit të Kushtetutës parashikon se KPA-ja është organi i vetëm gjyqësor që shqyrton ankimet kundër vendimeve të KPK-së. Sipas Kushtetueses, kjo gjykatë, nuk ka tagër për të shqyrtuar ligjshmërinë e vendimeve të KPA-së.
“Për sa më sipër, si edhe në përputhje me qëndrimin që Gjykata ka mbajtur tashmë në shqyrtimin e kërkesave që kundërshtojnë procesin e rivlerësimit kalimtar, juridiksioni i saj në shqyrtimin e ankimit kushtetues individual për këto çështje është i kufizuar nga vetë Kushtetuta, ndaj pretendimet që kanë të bëjnë me vendimmarrjen e këtyre organeve, qofshin të natyrës kushtetuese, ku përfshihet e drejta për proces të rregullt, nuk mund të jenë objekt shqyrtimi në këtë Gjykatë. Subjektet e rivlerësimit nuk legjitimohen t’i drejtohen Gjykatës, nëpërmjet ankimit kushtetues individual, për pretendime ose kërkesa që i përkasin atij procesi, i cili, siç vlerëson edhe GJEDNJ-ja, ka natyrë përfundimtare brenda sistemit të brendshëm të ankimeve”, thuhet në vendim./shqiptarja.com