Policia ka dhënë më shumë detaje sa i takon aksidentit të mbrëmjes së djeshme në aksin rrugor Sukth-Manzë, ku për pasojë humbi jetën një person. Sipas gazetares së Klan News Enkeleda Arapi bëhet fjalë për 40-vjeçarin Naim Mena.
Mësohet se 40-vjeçari ka humbur jetën si pasojë e dy përplasjeve. Fillimisht, ishte automjeti me shofer Amonali Halilin që përplasi motomjetin ku viktima ishte pasagjer, e pasi ky i fundit ra në rrugë është goditur dhe nga një tjetër makinë me shofer Hasbi Hasbiun. Të dy shoferët e dy automjeteve janë larguar nga vendi i aksidentit.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një aksident në aksin rrugor “Sukth-Manzë”, si pasojë e të cilit humbi jetën shtetasi Naim Mena (pasagjer në një motomjet), ju bëjmë me dije se: Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Durrës kapën dhe arrestuan shtetasit Amonali Halilin., 24 vjeç, banues në Sukth, Hasbi Hasbiun, 66 vjeç, banues në Sukth i Ri dhe Gjim Rusi, 43 vjeç, banues në Kullë, Durrës. Rreth orës 20:45, në aksin rugor “Sukth – Manëz”, automjeti me drejtues shtetasin Amonali Halilin., është përplasur me motomjetin pa targa, me drejtues shtetasin Gjim Rusi dhe me pasagjer shtetasin Naim Mena. Nga kjo përplasje, ka rënë nga motomjeti, në rrugë, shtetasi Naim Mena, ndërsa 24-vjeçari është larguar nga vendi i aksidentit. Shtetasi Naim Mena është goditur edhe nga automjeti me drejtues shtetasin Hasbi Hasbiu, i cili gjithashtu është larguar nga vendi i aksidentit. Si pasojë, shtetasi Naim Mena ka humbur jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e një shtetasi, dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, njofton policia.
/s.f