Një ditë pasi Kavaja u trondit nga përplasja mes dy personave që çoi në vdekjen e tyre, gazetarja Enkelejda Arapi sjell detaje të reja sa i takon shkaqeve që çuan në këtë ngjarje të rëndë. Në një lidhje direkte me edicionin e lajmeve në Tv Klan, gazetarja thotë se Armand Gosa dhe Sali Rexha prej disa ditësh kishin tension me njëri-tjetrin.
“Kanë kaluar më shumë se 24 orë nga ngjarja ku dy persona u vranë mes njëri-tjetrit, njëri me thikë e tjetri me armë zjarri. Policia e Kavajës ka mundur të hedh dritë e të zbardh pikërisht konfliktin që kishin këta dy persona. Situata ishte tensionuar disa ditë më parë ku sa herë takoheshin në rrugë me njëri-tjetrin, shkëmbenin fjalë mes tyre dhe ofendoheshin. Vetëm 1 natë më parë konflikti i nisur me dy personave ka mjaftuar pak minuta që këta të fundit të përlesheshin me njëri-tjetrin ku njëri qëlloi me thikë e tjetri me armë zjarri, për pasojë të dy mbetën të vdekur”, tha Arapi.
Ky, sipas gazetares, është versioni i policisë referuar dëshmitarëve, por edhe familjarëve pasi dy viktimat nuk njiheshin më herët e nuk kishin asnjë konflikt të fortë që mund të çonte deri në vrasje mes njëri-tjetrit. Por sipas tyre ka qenë thjesht një konflikt banal dhe fjalët që shkëmbeheshin kryesisht sa herë takoheshin rrugës.
43-vjeçari Sali Rexha, po qëndronte në lokalin në afërsi të shtëpisë së tij me qira në zonën e Valutës në Kavajë, kur mbërriti Armand Gosa. Fillimisht ata u konfliktuan verbalisht, derisa Gosa nxori thikën dhe goditi Sali Rexhën. Ky i fundit ndonëse me vete kishin edhe fëmijën, nuk iu shmang, por nxori pistoletën dhe hapi zjarr.
Si pasojë e plagëve të marra, të dy 43-vjeçarët humbën jetën.
Armand Gosa jetonte në Kavajë ndërsa viktima tjetër Sali Rexha ishte me origjinë nga Kukësi. Prej një viti ishte vendosur në një banesë në qytetin e Kavajës.
/a.r