Sekretari i Përgjithshë i PS Damian Gjiknuri shprehet se nisma e qeverisë për rregullimin fiskal të profesioneve të lira do të sjellë më shumë formalizim.
Në seancën e sotme plenare, Gjiknuri u shpreh se propozimet e bëra do të sjellin më shumë benefite.
“Unë vij si profesionist i lirë përpara se t’i bashkohesha politikës. Të gjithë këtu duhet të pranojmë që kanë qenë jashtë vëmendjes së rregullimit fiskal të qeverisë duke lënë hapësira të shumta që kanë nevojë për formalizim. Në fund të fundit ky projektligj synon ta normojë më mirë këtë gjë. Gjithmonë me qëllimin që jo të dëmtojë një grupim të popullatës, përkundrazi të krijojë rrëgullshmëri dhe benefite për grupe edhe më të mëdha të shoqërisë. Mendoj ndërhyrja që po bën qeveria qoftë duke formalizuar dhe duke normuar më mirë barrën fiskale duke lehtësuar ata që janë punonjësit e vërtetë, por njëkohësisht duke i ardhur në vitet e para në ndihmë industrisë për të kompensuar efektet financiare që ata kanë, është masa e duhur”, tha Gjiknuri
Numri dy I socialistëve shprehu vullnetin e mazhorancës për të ulur barrën tatimore për pjesën më të madhe të punonjësve në Shqipëri. “Duhet përgëzuar kjo iniciativë e mazhorancës që ka të bëjë me lehtësirat që po krijohen duke ulur barrën tatimore për pjesën më të madhe të punonjësve në Shqipëri. Së pari do të përfitojnë nga fakti që paga minimale që do të rritet në 40 mijë lekë (të reja). Së dyti ulet barra fiskale, në këtë rast barra tatimore, për personat nga 40 – 50 mijë lekë në muaj apo ato nga 50 – 60 mijë lekë.
Këtu janë bërë disa llogari. Mjafton dy shifra që i ka bërë qeveria. Për grupin e parë janë 15 600 lekë ose 156 000 lekë të vjetra të kursyera direkt për këta individë. Për grupin e dytë janë 7800 lekë apo 78 000 lekë të kursyer direkt për këta individë. Kjo është pjesa më e madhe, shtylla kurrizore e popullatës shqiptare sepse këto janë të ardhurat përgjithësisht e atyre njerëzve që mbajnë gjallë edhe industrinë”, deklaroi ai.
Gjiknuri përgëzoi qeverinë për masat sociale të ndërmarra për nxitjen e punësimit në vend duke u treguar njëkohësisht e kujdesshme që barra të mos shkojë e gjitha tek sipërmarrjet.
Sekretari I Përgjithshëm Damian Gjiknuri tha se masat e ndërmarra nuk janë elektorale, por kanë qëllim që të përmirësojnë jetën e qytetarëve shqiptare.
“Disa tërbohen, disa të tjerë fillojnë bëjnë llogari elektorale. Grupimi i parë që vjen këtu thotë po e bën për vota. Shihja një syresh dje në televizor që thoshte: le ta bëjnë , e ka të humbur. Nga ana tjetër plaku i vjetër e di shqetësimin, nuk e sulmon direkt por vë këta kasnecët e vegjël që të thonë po shkelet kodi zgjedhor. Pra, e kuptoni çfarë probemi keni ju? Ju nuk doni që kjo qeveri të ndërmarrë asnjë masë për përfitim të popullatës. Këtë bëni ju. Krijoni kakofoni vetëm e vetëm sepse s’dini si të reagoni. E vërteta është që qeveria po e bën atë në dobi të njerëzve. Janë ata që përfitojnë. Pensionistët përfitojnë, pjesa më në nevojë përfiton. Vetëm këtë vit që sa ka hyrë janë mbi 11 mijë lekë të reja direkt në ekonominë e njerëzve më të prekur”, theksoi ai.
Gjiknuri theksoi se në këtë mandate, qeveria socialiste po i kushton një vëmendje të shtuar masave sociale.
“Meqë kishit merak për 14 majin, patjetër qytetarët duan të vlerësojnë dhe dinë ta vlerësojnë. Ngaqë çirreni ju se po të ishit mirë ju do rrinit të heshtur. Ai plaku i vjetër kishte frikë ta prekte këtë temë se e di që qytetarët i mirëpresin të gjithë bonuset dhe efektet financiare sidomos pjesa e pensionistëve dhe njerëzve më në nevojë.
Më vjen mirë që në këtë pjesë të mandatit që ka mbetur fokus i qeverisë kanë qenë aspektet sociale. Jo thjesht sepse jemi të majtë ,por për të pasur sa më shumë incentiva për njerëzit për të ndërtuar familje këtu, për të qëndruar këtu”, theksoi numri dy I socialistëve.
/e.d