Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të Mërkure në qendër të Kavajës, ku dy 43 vjeçarë kanë humbur jetën pas një konflikti mes tyre. Klan News ka siguruar fotot e dy viktimave.
Të dy viktimat në Kavajë sipas informacioneve zyrtare të policisë kishin ndryshuar emrat në gjendje civile. Edmond Gosa e ka ndryshuar emrin dhe në dokumente e ka Armand Gosa, ndërsa Altin Rexha rezultonte i regjistruar me emrin Sali Rexha.
Konflikti ka ndodhur jashtë një lokali në zonën e njohur si kthesa e valutës, ku Armand Gosa, banor i Kavajës, ka goditur me thikë Sali Rexhën, me origjinë nga Kukësi, por banues prej vitesh në këtë qytet.
Ndërsa ky i fundit pas sulmit me thikë ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar agresorin e tij.
Pas përplasjes mes tyre, të dy kanë qenë me shenja jete, ndaj dhe janë dërguar me urgjencë në spital, por nuk u kanë mbijetuar dot plagëve të marra. Dëshmitarët e ngjarjes thanë se ata kishin një konflikt të mëparshëm, dhe se Rexha në momentin e konfliktit kishte dhe një fëmijë të mitur për dore.
Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Kavajës.
“Problem nuk kanë pas, sherr koti. Pse hap sytë? E di që kanë pas njëherë dhe nuk kanë arrit ta mbyllin. i malësori, s’ia di emrin. Janë të ardhur. Po bisedonin, i pamë. Edhe me gocën përdore, është e vogël, edhe kërciti. Dëgjuam krisma, ai me thikë. Njëri u shtri këtu.”
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Ndërkohë që ende nuk dihen arsyet e konfliktiti që çoi në humbjen e jetës së dy 43 vjeçarëve.
/a.r