Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, tha sot se ka arritur marrëveshje të përkohshme me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, për kushtet e armëpushimit në Siri.
“Kam folur me ministrin e jashtëm Lavrov me telefon, kam folur dje me të dhe përsëri sot në mëngjes, dhe kam theksuar nevojën urgjente për arritjen e armëpushimit sa më shpejt të jetë e mundur. Besoj se në bisedimin që e kishim, ne kemi arritur marrëveshje të përkohshme në parim, për kushtet armëpushimit, që mund të fillojë gjatë ditëve të ardhshme”, tha sot John Kerry, në një konferencë për shtyp në Aman të Jordanisë, pas takimit me ministrin e jashtëm të këtij vendi, Nasser Judeh.
Më tutje, ai tha se shpreson se presidenti amerikan, Barack Obama, dhe ai rus, Vladimir Putin, do të bisedojnë gjatë ditëve të ardhshme për kompletimin e marrëveshjes së përkohshme në parim dhe ka shtuar se të dy palët “ende i plotësojnë detajet”.