Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka reaguar menjëherë, duke kërkuar pezullimin e efektivit që goditi me shpullë gruan protestuese në kodrat e liqenit.
“Është e papranueshme të sulmohet uniforma e Policisë së Shtetit, qoftë edhe nga një grua, por absolutisht edhe më e papranueshme dhe e patolerueshme të reagohet fizikisht, sidomos ndaj një gruaje.
Kam kërkuar pezullimin e menjëhershëm të punonjësit të policisë dhe lirimin e tij nga detyra.
Policia që duam nuk mund të jetë kjo që na treguan pamjet e konfliktit mes punonjësit të policisë dhe një qytetareje. Çdo punonjës policie duhet ta dijë këtë dhe kushdo e harron nuk do të tolerohet në asnjë rast e për asnjë arsye”, ka shkruar Tahiri në faqen e tij në Facebook.
Policia liron 7 nga 12 protestuesit e ndaluar
Policia ka liruar disa nga protestuesit, të shoqëruar pas përlasjeve që ndodhën këtë mesditë në Liqenin Artificial. Protestuesit u shoqëruan në ambientet e komisariatit nr1 në Kryeqytet, dhe deri më tani janë liruar 7 nga 12 të ndaluarit.
Në emër të aktivistëve, Zirkon Disha tha se ata do t’i vijojnë protestat për të penguar zbatimin e projektit për parkun.
Momenti kur efektivi policise godet me shuplake protestuesen
http://www.dailymotion.com/video/x3texvf_polici-godet-protestuesen_news
Gjatë protestës, gruaja i rrëzoi përtokë kapelen policit dhe ky reagoi me një shuplakë të fortë në fytyrën e saj.
Në zbatim të urdhërit të ministrit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ka bërë të ditur se ndaj policit do të nisë procedimi disiplinor.