Vetëm 3 minuta para se dhjetëra plumba kallashnikovi të shkreheshin në drejtim të një prej televizioneve më të mëdha në vend, Top Channel, gazetarët e fundit të kësaj mediaje ishin larguar nga ambientet e punës së tyre. Ata sapo kishin transmetuar edicionin e fundit të lajmeve dhe janë kthyer në shtëpitë e tyre, ndërkohë që nëse do ishin vonuar edhe 180 sekonda më vonë mund të ishin pre e një sulmi terrorist dhe shumë të rëndë. Nuk dihet nëse kriminelët pritën që gazetarët të iknin apo thjesht rastësia e 3 minutave shmangu një masakër por detajet që Report Tv mëson ekskluzivisht nga hetimet janë shokuese.
Report Tv ka mësuar gjithashtu se makina me të cilën të paktën 3 autorë, një ‘Range Rover’ që është gjetur më pas e djegur në Golem të Kavajës me 2 kallashnikovë, nuk rezulton e regjistruar në Shqipëri. Pra numri i shasisë nuk është i regjistruar nga autoritet shqiptare, dhe me shumë mundësi është vjedhur fillimisht në Angli.
Ndërkohë që një tjetër mister që e mbulon ngjarjen është edhe fakti që lidhet me targat e makinës. Targa ishte vjedhur para një muaji nga një makinë e regjistruar në Elbasan. Targat kanë qenë në pronësi të një kameramani të një emisioni në ‘Top Channel’, i cili vetëm pak kohë më parë e kishte shitur te një kushëri. Ky i fundit kishte denoncuar vjedhjen e targave.
Breshëri kallashnikovi janë regjistruar në mesnatë drejt godinës së Top Channel, afër shtëpisë së Big Brother. Të shtënat me armë i morën jetën rojës së godinës, Pal Kola, 60 vjeç. Report Tv ka mësuar se roja i sigurisë ka qenë duke u ngrohur pranë një ngrohëse që ka pasur brenda kabinës në momentet që është qëlluar me breshëri plumbash. 60-vjeçari ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Dyshohet se kanë qenë mbi tre persona që kanë marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndë, të paktën 2 kanë qëlluar me breshëri mbi zyrat e Top Channel, ndërkohë që një tjetër ka qenë drejtuesi i makinës. Autorët pasi kanë djegur makinën dyshohet se kanë shkuar drejt Vlorës, ku po kryhen kontrolle pasi dyshohet të jetë hedhur armë në ferra nga një automjet në lëvizje. Burime për Report Tv bëjnë me dije se ka disa të shoqëruar në Vlorë.