Gjykata dhe prokuroria në Tiranë kanë hyrë në konflikt gjyqësor për Memorialin e Ushtarëve serbë në Tiranë.
Në dosjen që Top Channel disponon përmendet se autoritetet shqiptare u informuan nga ambasadori serb për dëmtimin e një kryqi të memoralit që ishte publikuar në aplikacionin TikTok.
Në video ishte shkruar “mecat e Mirditës dhunojnë memorialin e ushtarëve serbë në Tiranë”, por hetimet pavarësisht kërkimeve nuk arritën të identifikojnë autorët. Megjithatë gjykata e ka refuzuar mos fillimin e hetimeve me konkluzionin se akuza duhet të kryejnë çdo veprim të mundshëm për të gjetur personat që shkaktuan incidentin.
Gjykata i ka caktuar katër detyra prokurorisë për të zbuluar autorsinë. Ndaj në fashikull pyet prokurorët të cilët duhet të sigurojnë prova e të përgjigjen. Cili ka qenë qëllimi i ndërtimit të Memorialit të Ushtarëve Serbë? Çfarë përfaqëson në vetvete ky memorial?
Prokuroria duhet të verifikojë nëse në këtë memorial ka eshtra të ushtarëve serbë dhe nëse agjencia funerale disponon apo jo një regjistër të veçantë ose dokument tjetër ku të jenë shënuar gjeneralitetet e ushtarëve serbë?
Gjykata e kryeqyteti shton më tej në vendim se mbyllja e hetimeve nga ana e prokurorisë nuk është i drejtë , mbasi nuk janë kryer veprimet e nevojshme lidhur me aktet që duhet të administroheshin prej Agjencisë Funerale. Por prokuroria insiston se ka kryer çdo veprim hetimor.
Midis veprimeve të kryera akuza përmend këqyrjen e pamjeve në Tik Tok, mungesën e kamerave të sigurisë në varreza, ekspertizat e policisë dhe marrjen në pyetje të disa punonjësve të agjencisë funerale.
Midis tyre edhe të drejtuesit teknik të varrezave të Sharrës, i cili shpjegon se mbasi ishte vënë në dijeni për dëmtimin e memorialit kishte pyetur punëtorët nëse kishin parë persona të dyshimtë, por ata nuk kishin dijeni thotë Gentian Roshi.