Ashtu edhe siç ishte paralajmëruar marrëveshja e arritur në Ohër mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, ishte në fokus të bisedimeve që lideri nga Kosova zhvilloi me homologun Rama në Tiranë.
Në një foto të ndarë në rrjetet sociale, Edi Rama zbulon se bisedoi me Albin Kurtin në detaje për këtë marrëveshje dhe ecurinë e procesit të zbatimit të saj, ku mes të tjerash e përgëzoi për kurajën e treguar.
“Me mikun e posaçëm, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë drekës së sotme ku diskutuam me detaje për marrëveshjen e Ohrit dhe ecurinë e mëtejshme të procesit të zbatimit të saj.
I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë”, shkruan Rama.
Më tej kryeministri Rama tregon se bashkë me Kurtin ranë dakord që mbledhja e radhës e dy qeverive të mbahet në muajin qershor.
/a.r