Në daljen e tij të parë publike që nga deklaratat e tij ku njoftonte se së shpejti do të arrestohej, ish-presidenti i SHBA-së Donald Trump ka folur për hetimin që po zhvillohet ndaj tij.
“Prokurori i Qarkut të Nju Jorkut, nën kujdesin dhe drejtimin e Departamentit të Padrejtësisë në Uashington, po më heton për diçka që nuk është krim, nuk është kundërvajtje dhe as një aferë”.
Trump po hetohet nga prokurorët në Manhatan lidhur me rolin e tij për një pagesë prej 130,000 Dollarësh, për ish-aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels.
Pagesa u bë nga ish-avokati i tij, Michael Cohen, në vitin 2016, në prag të zgjedhjeve presidenciale, për të blerë heshtjen e aktores, lidhur me një marrëdhënie seksuale me ish-kreun e Shtëpisë së Bardhë.
Por Trump mendon që hetimi që po zhvillohet ndaj tij është një padrejtësi.
“Le të mos ketë asnjë dyshim. Padrejtësitë që po bëhen jo vetëm ndaj meje, por ndaj dhjetëra njerëzve në të gjithë vendin tonë. Kur të mbarojnë këto zgjedhje, unë do të jem presidenti i Shteteve të Bashkuara. Do të shfajësoheni dhe do të jeni krenarë”.
Vlen të theksohet se pagesat për të garantuar heshtjen e një personi në vetvete nuk konsiderohet një krim, por prokurorët federalë kanë pohuar se pagesat janë bërë për të ndikuar në fushatën presidenciale, duke fshehur marrëdhëniet jashtëmartesore, që potencialisht mund të dëmtonin shanset e Trump për t’u zgjedhur president.
Ish-presidenti amerikan, i cili e ka shpallur tashmë kandidaturën për garën presidenciale të vitit 2024 zgjodhi për t’i bërë këto deklarata gjatë një mitingu në qytetin Uejko në Teksas, një qytet ku 30 vjet më parë operacioni i policisë kundër një sekti fetar rezultoi në një masakër me 76 të vdekur.
Stafi i Donald Trump nuk pranoi t’i përgjigjet pyetjes së një gazetari të agjencisë së AFP-së kur u pyet për simbolikën e zgjedhjes së Uejko për mitingun e fushatës elektorale.
/a.r