Zjarr në katin e katërt të një pallati në Selanik. Mediat greke raportojnë se ngjarja ka ndodhur në rrugën Tsamadou 3, ku të plagosur kanë mbetur 3 persona, mes të cilëve 1 e moshuar e cila është marrë nga një ambulancë dhe është dërguar në spital pasi vuan nga probleme me frymëmarrjen. Ajo mësohet se është qiramarrësja e banesës që është përfshirë nga flakët.
Sakaq, raportohet se një 25-vjeçare e cila jeton në një banesë fqinje është hedhur nga ballkoni i katit të katërt në katin e tretë dhe prej andej me ndihmën e një fqinji ka arritur të dalë nga pallati. Pak më vonë ata i kanë dorëzuar 25-vjeçares macen e saj që kishte mbetur në banesë. Në të njëjtin spital është dërguar edhe një burrë i cili ka dalë nga banesa. Në vendngjarje kanë shkuar 7 automjete të Shërbimit Zjarrfikës. Nuk dihen ende rrethanat specifike të zjarrit në katin e 4 të pallatit në këtë zonë në Selanik.
/a.r