Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti në një takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin me të cilin bisedoi rreth negociatave të zhvilluara së fundmi në Ohër mes tij dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
Në njoftimin e Presidencës mësohet se kreu i shtetit u informua në detaje mbi negociatat e zhvilluara me Serbinë, të udhëhequra nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Presidenti Begaj përshëndeti lidershipin, maturinë dhe kurajën e treguar nga Kryeministri Kurti dhe ekipi negociator i Republikës së Kosovës, për ta pranuar planin evropian, si dhe për ta nënshkruar e zbatuar atë.
Më tej, Bajram Begaj shprehu besimin se zotimi i marrë nga palët në Ohër do të respektohet plotësisht, ndërkohë do të gjenden mekanizmat e duhur për ta kthyer këtë dakordësim publik në një marrëveshje të detyrueshme e të zbatueshme për palët ndërkombëtarisht” – thotë njoftimi.
/a.r