Zbardhen detaje nga mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike, të thirrur nga Enkelejd Alibeaj.
Këtë ide e kanë kundërshtuar shumica e anëtarëve të kryesisë, që kërkojnë të garohet vetëm për këshillat bashkiakë dhe të mos dalin me kandidatë për kryetarë në bashkitë e vendit.
Jorida Tabaku: Kam ndarë të njëjtin qëndrim që kisha në shtator, opozita duhet të dalë me kandidatë unikë! Nuk duhet në asnjë mënyrë qe ne të bëjmë betejë kundër nesh, ne kemi një kundërshtar kemi qeverinë dhe asnjë arsye dhe asnjë justifikim të jemi ne ata që përçajnë votën e opozitës!
Ne duhet të mbrojmë logon e PD, duhet të nxjerrim Partinë Demokratike si alternativë në këto zgjedhje! Unë nuk e bëj dot që të kërkoj votën kundër komenteve të mia! Unë nuk kam asnjë dyshim që ne për të fituar duhet të jemi bashkë, duhet të jemi dhe më shumë se kaq!
Dhurata Çupi: Së pari ne duhet të mbajmë strukturat unike dhe fakti që kemi mendim po thuajse gjysmë për gjysmë, kemi rrezikun që të ndahemi edhe një herë e mund të zvogëlohemi përsëri. Kjo është përgjegjësi direkt juaja, Enkelejd dhe Gazment. Ju duhet të jeni përbashkues.
Së dyti, kam refuzuar sulmet e Foltores si të shitur e të blerë dhe sot refuzoj akuzat këtu që ne qe kemi mendim ndryshe të konsiderohemi që shohim interesat tona. Këtë e refuzoj edhe këtu. Më dhemb PD dhe do bëj çmos të rritet PD dhe të bashkohet sa të mundet. Ne kemi optimizmin të dalim me listën e këshillave bashkiak dinjitozë dhe figura dinjitoze dhe të votohemi shumë më shumë se partitë e tjera. Ndërkohë, nuk duhet të dalim me kandidatura për kryetar bashkie. Dhe këtë e kam për të mirën e PD dhe të bashkimit./tch/m.j