Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është i bindur se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme në fillim të muajit mars. Në një intervistë për Top Channel, Haradinaj shprehet i bindur se lideri i Partisë Demokratike, Hashim Thaçi nuk do të zgjidhet president dhe si pasojë do të ketë zgjedhje të reja. “Nuk besoj që do të zgjidhet, nuk besoj. Nuk e shoh këtë situatë të mundur. Mendoj se ne, më 7 mars do të shkojmë automatikisht në zgjedhje”, deklaron Haradinaj. Për këtë arsye, Haradinaj e dorëzoi të premten edhe mandatin e deputetit të AAK-së. “Në fakt, unë mendoj se ky Parlament ka vetëm edhe një punë për të kryer, ajo për të shpërndarë veten. Pra, edhe largimi im nga Parlamenti e dha këtë porosi. Duhet ta shpërndajmë Parlamentin dhe duhet të shkojmë në zgjedhje”, thotë Haradinaj. Në intervistë, Haradinaj komenton edhe deklaratën e ashpër të ambasadorit amerikan në Kosovë, i cili i quajti të neveritshme veprimet e liderëve të tri subjekteve opozitare në seancën e Kuvendit.