Këshilli i Ministrave ka shkarkuar sot Leftër Allën nga detyra si kryebashkiak i Bulqizës.
Vendimi që mban firmën e zv.kryeministrit Belinda Balluku vjen në një kohë kur Alla ndodhet në qeli pas akuzave nga SPAK.
Kreybashkiaku i PS-së në Bluqizë, Lefter Alla dhe 12 persona të tjerë, 7 prej tyre zyrtarë të Bashkisë, kanë rënë në pranga për abuzimin me një tender me vlerë rreth 3 milionë euro. Në pranga ka rënë edhe nënkryetarja e Bashkisë, Enkeleda Lleshi. Arrestimi i tyre është bërë pasi akuzohen se kanë favorizuar të afërmin e Allës, Aqif Koneshën, i cili ka kryer punimet e ujësjellësit të ri.
Arrestimet janë bërë me urdhër të SPAK, ndërsa janë ushtruar edhe kontrolle nga oficerët e BKH-së. Objekt i kontrolleve ka qenë shtëpia e vëllait të Lefter Allës, si edhe dhjetëra banesa të tjera. Dy prej të arrestuarve janë lënë në arrest shtëpiak. Sipas SPAK, bëhet fjalë për një tender rehabilitimi i ujërave të zeza të lagjes së vjetër të qytetit të Bulqizës.
***
V E N D I M PËR SHKARKIMIN NGA DETYRA TË KRYETARIT TË BASHKISË BULQIZË, Z. LEFTER ALLA
Në mbështetje të neneve 100 e 115, pika 1, të Kushtetutës, dhe të shkronjës “a”, të nenit 62, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Shkarkimin nga detyra, për shkak të shkeljeve të rënda, të kryetarit të Bashkisë Bulqizë, z. Lefter Alla.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU