Nga Rudina Xhunga
Ngjarja më e rëndësishme sot është vizita në Britaninë e Madhe e kryeministrit Rama, i cili do të vërë disa pika mbi i. Media kryesore vendase, si BBC, The Guardian, kanë shkruar për takimet e tij dhe e kanë intervistuar. Kryeministri shqiptar ka shkuar me të gjitha bateritë për të treguar se nuk është kryeministri i një vendi që po kërkon punë në shtëpi bari. Sepse thotë ashtu siç ju nuk jeni vetëm vendi i James Bond-ve, edhe unë nuk jam vetëm vendi i njerëzve të gomoneve dhe serave të barit, që po ju prishin qetësinë.
Dhe sapo lajmi i keq bërtet atëherë shfrytëzohet nga qeveritë për t’i lënë fajin njëra-tjetrës.
Ka shqiptarë që shkojnë me gomone, pikërisht për t’u bërë roje të shtëpive të barit. Disa përfundojnë të vrarë, të tjerë përfundojnë të vjedhur, të zhgënjyer, të tjerë akoma të hedhur, të deportuar, të zhgënjyer.
Disa ia dalin, i bëjnë paratë për makinën e paradës në qytetin e fëmijërisë. Është kohë tjetër. Nuk mund t’u thuash njerëzve, ëndrra jote ma shpif, jeto ëndrrën time! Por për një gjë mund të imponohesh, duke i thënë kujt na sheh si kriminelë për dy lekë; Jo, nuk jemi të tillë. Shqipëria nuk përfaqësohet nga krimi. Ne përfaqësohemi nga shumë shqiptarë të mirë që kanë emigruar në mënyrë të ligjshme, që punojnë, që janë të jashtëzakonshëm. Janë shumë, por nuk kanë zë. Sot, zëri i tyre, ishte zëri i kryeministrit shqiptar.
Rama ishte sot kryeministri i njerëzve të lirë të lëvizin, emigrojnë, të studiojnë, punojnë, kthehen, ikin e vijnë. Nuk është e vërtetë që jemi si në shumicën e shkrimeve të Daily Mail. E keqja është që shkrimeve të tyre ne i japim zë, i përkthejmë, i botojmë dhe nisim e besojmë dhe vetë se jemi komb krimi. Unë jam e sigurt që shumë prej jush që punoni në Britaninë e Madhe ndjeheni mirë, kur dikush flet në emrin tuaj sot.
Mbase ky kryeministër, nuk ia doli t’ju mbante, mbase as tentoi, por sot ai foli në emrin tuaj dhe ka ca ditë si kjo që ke nevojë të vijnë. Sepse nuk je vetëm, i ikur, i përbuzur. Pas teje është Shqipëria, gjuha dhe gjaku i një kombi të vjetër njerëzish që ia kanë dalë gjithmonë. Luftarakë dhe zemërbardhë! Po, po, për shqiptaret po flas!(Dritare TV)