Policia e Divjakës hedh poshtë pistën që spanjolli i cili punonte në sera të jetë vrarë. Uniformat blu kanë marrë në pyetje edhe persona të tjerë në lidhje me ngjarjen.
Dëshminë e tyre kanë dhënë edhe punonjës të tjerë të kompanisë të cilët erdhën në Shqipëri pasi ndodhi ngjarja. Të gjithë personat e marrë në pyetje janë shprehur se 47 vjeçari Francisco Cervilla kishte probleme familjare. Blutë kanë sekuestruar edhe kamera të sigurisë të cilat kanë fiksuar momentin kur spanjolli ka marrë thikën nga serat ku punonte dhe me të i dha fund jetës duke prerë damarët.
Ngjarja ndodhi në tualetin e hotelit ku qëndronte në Divjakë. Shoku i tij me të cilin qëndronte në momentinq ë 47 vjeçari ka hyrë në tualet, po fliste me familjarët për një kohë rreth 30 minuta. Më pas ka parë gjakun dhe e gjeti Cevillan pa shenja jete.
Të dy spanjollët njiheshin prej 20 vitesh dhe ishin specialistë në ndërtimin e serave me teknologji spanjolle. Ata punonin për një kompani shqiptaro-spanjolle që kishte marrë me qira për 99 vjet një sipërfaqe prej 44 hektarësh tokë bujqësore për mbjelljen e perimeve.
/a.r