Grekët u kthehen udhëtimeve me tren. Rreth 22 ditë pas tragjedisë në Larisa, ku humbën jetën 57 persona mes të cilëve 6 shqiptarë, linjat e periferisë në Greqi janë rikthyer në punë, por këtë herë me masa sigurie të shtuara. Rruga e parë testuese nisi në orën 4.45 të mëngjesit nga Stacioni i Larisës për në stacionin Oinoi, ndërsa pasagjerët zgjodhën trenin e Suburbanit për udhëtimet e tyre. Ata u pozicionuan në karrocat e pasme, shkruan Protothema.gr
Sot është faza e parë e rifillimit të hekurudhës dhe për këtë arsye janë vënë në qarkullim linjat Pire-Athinë-Aeroport, Ano Liosia-Aeroport , Ano Liosia-Kanza , Athinë-Oinoi-Halkida dhe Linjat Suburbane të Patrës. Rihapja e trafikut të trenave do të bëhet në pesë faza dhe çdo pesë ditë do të hapet një linjë nën masa të shtuara sigurie.
Që nga mëngjesi, trenat periferikë do të nisin qarkullimin me shpejtësi të reduktuar e cila nuk do të kalojë 80 kilometra në orë, ndërsa në kabinën e trenit ndodhen dy makinistë dhe dy mbikëqyrës trafiku. Njëkohësisht në stacionet ku deri më tani ka qenë në detyrë një stacionar janë vendosur edhe dy të tjerë.
Siç është bërë e ditur nga ana e organeve kompetente, deri në përfundimin e sistemit të telekomandimit, përveç faktit që do të ketë linja të reduktuara, në çdo tunel do të lëvizë një tren në të njëjtën kohë. Linjat e autobusëve, të cilat Hellenic Train ka marrë me qira për t’i shërbyer publikut të pasagjerëve, tashmë janë duke funksionuar. Tre linja autobusësh nisen nga stacioni i Larisës në orë. Një për Selanik, një për Kiato dhe një për Halkidën. Biletat lëshohen ose në internet ose në zyrën e biletave të stacionit të Larisës.
Tragjedia e 28 shkurtit
Ngjarja e rëndë ndodhi pak para mesnatës së të martës (28 shkurt) në Greqi. Dy trena u përplasën me njëri-tjetrin duke shkaktuar një zjarr që u mori jetën 57 personave. Një tren me 350 pasagjerë që po udhëtonte nga Athina drejt Selanikut u përplas me një tren mallrash. Shkak për shpërthimin e zjarrit dyshohet se është bërë prerja e një kablli elektrik në njërën prej vagonët të trenit me pasagjerë që në momentin e përplasjes ka rezultuar fatal.
/e.d