Të shumtë janë qytetarët të cilët kanë përfituar nga Check Up falas për grup-moshën nga 40-65 vjeç. Teuta, është një tjetër qytetare që arsyet financiare e kishin lënë indiferente ndaj shëndetit të saj, por edhe gjendja shëndetësore e mirë në dukje, e bënte të mendonte se gjithçka ishte në rregull.
Pas shumë vitesh, që pas lindjes së fëmijëve të saj, Teuta pati mundësinë të bënte analizat falas, si dhe të mësonte se shëndeti i lënë pas dore, kishte nevojë për ekzaminime më të specializuara.
Për shkak se iu është dedikuar rritjes së fëmijëve, Teuta nuk punon. Ndaj mendoi se ekzaminimet e mëtejshme do të ishin të pamundura për buxhetin e saj. Por në konsultë me mjekun e familjes mësoi se tashmë, që nga data 1 Shkurt 2016, me Urdhër të Ministrit të Shëndetësisë, është miratuar ulja e konsiderueshme e tarifave të vizitave te mjeku specialist dhe ekzaminime të ndryshme shëndetësore për personat që nuk janë të siguruar, por që janë pjesë e sistemit të referimit, duke e filluar kontrollin nga mjeku i familjes. Kështu Teuta do të përfitonte uljen e tarifave të ekzamimime që do të kryente pikërisht sepse kishte ndjekur sistemin e referimit.
Sistemi i referimit funksionon në mënyrë të tillë që, pacienti fillimisht duhet të shkojë tek mjeku i familjes, në rastet kur ky i fundit gjykon se pacienti ka nevojë më të specializuar me anë të një rekomandimi e dërgon tek mjeku specialist. Kur pacienti paraqitet tek mjeku specialist duhet të jetë i pajisur me kartë identiteti dhe rekomandim nga mjeku i familjes. Në këto raste ai duhet të paguajë çmimet e reja të ulëta, të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Pas ofrimit të vizitës falas te mjeku i familjes, vendim i cili hyri në fuqi më 27 janar 2016, në rastin e vizitave ambulatore, kryerja e injeksioneve dhe ndërhyrjeve mikrokirurgjikale ofrohet tashmë falas. Gjithashtu, tarifat për disa ekzaminime, si Mamografia dhe Anti-HIV 1+2, bëhet zero për herë të parë.
Ndërkohë që vizita te mjeku specialist në poliklinikë, nga 1500 lekë ulet tashmë në 100 lekë. Ndërsa vizita te mjeku specialist në spitalet universitare, ulet nga 3000 lekë në 500 lekë; te mjeku specialist në spitalet rajonale, ulet nga 2000 në 100 lekë; dhe te mjeku specialist në spitalet e rretheve, ulet nga 1500 në 100 lekë.
Po ashtu, nëse një person i pasiguruar ka të nevojshme kryerjen e një ekografie, ajo kushton 1000 lekë në rastet kur pacienti nuk ndjek sistemin e referimit. Në rast se pacienti do të shkojë fillimisht tek mjeku i familjes dhe më pas tek specialisti në poliklinikë për kryerjen e kësaj ekografie do të paguajë vetëm 200 lekë. / ATSH