Partizani fitoi 4-1 me Kastriotin për javën e 26-të në Superligën shqiptare të futbollit. “Demat” e Giovanni Colellas nuk e diskutuan fitoren në përballjen e zhvilluar në kompleksin e tyre, teksa në pjesën e parë u shënuan katër gola.
Në minutën e 35-të, Tedi Cara shënoi golin e parë të ndeshjes pas pasigurisë së gardianit mik. Në të 40-tën minutë Massanga me një perlë nga jashtë zone tundi rrjetën, para se Mihana në minutën e 44 të shkurtonte shifrat në 2-1.
Vetëm një minutë më vonë Selmani shënoi golin e parë me fanellën e Partizanit, duke dërguar shifrat në 3-1. Në pjesën e dytë dhe konkretisht në të 78 minutë ishte Mba që tundi rrjetën dhe vulosi shifrat në 4-1. Po sot, me fillim nga 13:00 Egnatia dhe Teuta barazuan 1-1, teksa Laçi fitoi 2-0 me Vllazninë.
Pas javës së 26-të, Partizani mban kreun e Superligës me 44 pikë, aq sa ka edhe Tirana që për shkak të ndeshjeve direkte renditet e dyta. Egnatia mban pozitën e tretë me 38 pikë dhe Erzeni me 37 pikë gjendet në vendin e katërt. Në fund Laçi, Bylis dhe Kastrioti.
/s.f