Mafia shqiptare e drogës tashmë po bëhet kyelajm në të gjitha mediat botërore. prestigjozja britanike “Daily Mail” i ka kushtuar një shkrim të gjatë shqiptarëve të cilët kanë “pushtuar” tregun nëdëkrombëtar të narkotrafikut.
“Gangsterët shqiptarë kanë marrë në mënyrë të pamëshirshme kontrollin e furnizimit me kokainë në Amerikën e Jugut për të përmbytur rrugët e Britanisë me sasi rekord të drogës”, shkruan Daily Mail.
Siaps medias britanike tentakulat globale të kapove mafiozë të etur për gjak nga Ballkani, tani shtrihen nga ‘narkoshteti’ i Ekuadorit në qytetet dhe qytezat në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Detajet e këtij zhvillimi të frikshëm zbulohen në investigimin tonë me dy pjesë për gjurmët e shkatërrimit që po lë pas kërkesa e pangopur e Britanisë për kokainë- e cila po nxit gjakderdhjen jashtë vendit.
Tregu i kokainës në Mbretërinë e Bashkuar thuhet se vlen 2 miliardë sterlina me rreth 976 mijë përdorues, ndërsa numri vjetor i vdekjeve të lidhura me kokainë është shtatëfishuar në një dekadë dhe tani është 840,” shkruan gazeta.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britaninë e Madhe, grupet kriminale shqiptare kontrollojnë të gjithë tregun e kokainës në vend, me përjashtim të metropolit Merseyside, ku tregu kontrollohet nga gangsterët vendas.
“Tani të njëjtët baronë droge kanë marrë nën kontroll me dorë të hekurt shpërndarjen e kokainës nga Ekuadori, ku ata janë përfshirë në një betejë të përgjakshme me kartelet lokale për epërsi në tregtinë fitimprurëse ndërkombëtare të kokainës.
Në pjesën e parë të hetimit sot, ne ekspozojmë sesi mbretërit shqiptarë të drogës tani kontrollojnë furnizimin me kokainë në resortin popullor të Brighton dhe Hove në bregun jugor të Britanisë, ku sipas një sondazhi, një në pesë persona thuhet se ka marrë kokainë.
Sipas burimeve, një figurë misterioze e botës së krimit nga Shqipëria, e njohur vetëm me iniciale, thuhet se është një nga organizatorët e krimit në krye të një rrjeti trafikantësh droge që furnizon me kokainë profesionistët e klasës së mesme, pushuesit dhe studentët”, shkruan Daily Mail.
Gazeta publikon edhe një listë me emra të trafikantëve shqiptarë: Ramazan Capa, Gjenti Capa, Ndriçim Xhepa, Kadri Dema, Izmir Dema, Leonard Dema, Klinton Dani, Gledis Osmani dhe Mevlan Dema.
“Muajin e kaluar, një kongresmen i rëndësishëm në Ekuador zbuloi se kërcënimi i mafies shqiptare e ka infektuar vendin e tij përmes dhunës, ryshfetit dhe kompanive të pastrimit të parave. Sipas tij, ata kanë ngritur një biznes të paligjshëm miliona dollarësh që konsiston në blerjen e kokainës me një çmim të ulët në Amerikën Latine dhe tregtimin e saj në Europë. Fernando Villavicencio, presidenti i Komisionit të Mbikëqyrjes së Kongresit, tha se rreth 4 mijë shqiptarë jetojnë në Ekuador,” shkruan gazeta.
Kongresmeni theksoi: “Trafiku i drogës, korrupsioni dhe forma të tjera të krimit të organizuar kanë kontaminuar një pjesë të madhe të sistemit të gjakut në shtetin ekuadorian, që nga klasa politike dhe partitë, te institucionet e drejtësisë, sistemi financiar, madje kanë depërtuar edhe në vetë forcat e rendit përgjegjëse për luftën ndaj krimit të organizuar”.
“Depërtimi, zgjerimi dhe rritja e krimit të organizuar mund të ndodhte vetëm falë bashkëpunimit me pushtetin politik. Sot, kuadri i brishtë institucional dhe demokracia e saj e përbuzur janë në rrezik serioz”.
Kokaina e kontrabanduar nga Ekuadori në Mbretërinë e Bashkuar zakonisht fshihet në kontejnerë dhe hyn përmes porteve të Roterdamit dhe Antverpës, të cilat gjithashtu kanë njohur një rritje të madhe të krimit dhe bandave të lidhura me drogën.
Në investigimin e Daily Mail thuhet se pjesë të tëra të Ekuadorit janë kthyer në ‘Perëndimin e Egër”, teksa baronët shqiptarë të drogës luftojnë kundër karteleve të Amerikës së Jugut.
Në pjesën e dytë të investigimit, Daily Mail thotë se do zbardhë dëshminë e një gangsteri ekuadorian, i cili do thyejë kodin e heshtjes së mafies për të zbuluar se si banda e tij bashkëpunon me narkot nga Shqipëria për të trafikuar tonelata me kokainë.
Po ashtu në pjesën e dytë të investigimit, gazeta do merret me një nga trafikantët më famëzinj të Shqipërisë. Bëhet fjalë për Dritan Rexhepin, i njohur edhe si mbreti i arratisjeve dhe së fundmi edhe si mbreti i kokainës.
Daily Mail shkruan se Dritan Rexhepi po shfrytëzon çdo vrimë ligjore për të shmangur ekstradimin në Europë, ku ai kërkohet për një seri krimesh, përfshi edhe vrasjet.
/e.d