Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka nxjerrë për konsultim rregulloren e re se si do të kontrollohen matësit e energjisë elektrike. ERE ka nxjerrë për konsultim kontratën “tip” për verifikimin e matësve të energjisë. Sipas rregullave të reja verifikimi periodik i matëseve elektrik do të kryhet nga subjekte të pavarura të autorizuara ose të akredituara nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë raporton “Dita”.
Si do të testohen matësit?
Matësit elektrik do të testohen në kushte laboratori por edhe në kushte terreni duke përdorur matësa referues kontrolli ose instrumente portative testimi të pajisur me certifikatë konformiteti të certifikuar nga laboratorë të akredituar me Standardin EN ISO/IEC 17025. Metodika e testimit do të jetë ajo e krahasimit të rezultateve të matjeve me ato të regjistruara nga një matës standard etalon me klasë saktësie me të lartë se klasa e saktësisë së matësit elektrik që do të testohet. Tolerancat e gabimit të matësit që testohet në kushte terreni do të jenë 1.5 herë klasën e saktësisë së vetë matësit elektrik. Matësit që rezultojnë të rregullt pas verifikimit do të vulosen me vulë dhe një çift etiketash. Të gjithë matësit dhe pajisjet e tjera të sistemit të matjes, do të jenë të testuar për saktësinë e tyre përpara se të vihen në punë. Testimet duhet të bëhen në periudha të caktuara kohore për të kontrolluar dhe verifikuar që funksionimi i matjes është brenda kufijve të lejuar të gabimit të dhënë në Kodin e Matjes. Kur pas verifikimit konstatohen se gabimi i regjistruar pas testimit është përtej gabimit maksimal të lejuar dhe nuk ka prova të dëmtimeve me dashje të bëra nga klienti, atëherë Operatori i Rrjetit kryen përllogaritjet përkatëse të sasisë së energjisë së faturuar më shumë ose më pak, sipas rezultatit të pasaktësisë në matës dhe në këtë mënyrë bëhet rimbursimi sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në Kodin e Matjes. Rregullimet për pasaktësitë e matjeve do të kufizohen për periudhën e fundit 12 mujore, dhe sa herë që konstatohet nga subjektet e autorizuara për kryerjen e testimit të matëseve elektrik.
Kur matësi është jashtë funksionit
Kur matësi ose pjesë të matësit janë jashtë funksionit apo punojnë jashtë kufijve të lejuar të gabimit, atëherë merren masa për rregullimin, riparimin ose zëvendësimin e tyre duke bërë të mundur kthimin në punë të pajisjes sipas kërkesave të lejuara për kufijtë e gabimit. Klientët fundorë familjarë ose jo familjarë do të përdorin me kujdes dhe do ti ruajnë pajisjet e matjes kur ato janë të vendosur brenda kufijve të pronësisë së tyre. Në rast se ata verifikojnë dëmtim të pajisjes matëse atëherë do të lajmërojnë me shkrim subjektin që siguron pajisjet sipas marrëveshjes për ta riparuar ose zëvendësuar. Klienti i cili nuk ka interes pronësie me pajisjen matëse të instaluar nga një operator i sistemit, nuk duhet të ngacmojë ose të lejojë ngacmime të pajisjeve matëse të instaluara.