Kryeministri Edi Rama foli sot për arrestimet e zyrtarëve të majtë, e jo vetëm. Rama tha se kushdo që ka punë me drejtësinë të marrë avokat, pasi qeveria nuk e ofron këtë shërbim, dhe se koha e të paprekshmëve nga drejtësia dhe qëndrimi nën ombrellën e qeverisë, ka marrë fund.
“Nga ana tjetër, ne jemi shumë të lumtur sot që të konstatojmë se gjërat kanë shkuar sipas parashikimeve, dhe sot mund të konstatojmë ecurinë e reformës në drejtësi. ka filluar të japë fryte domethënëse. Nuk është një fushë me lule, ka ferrat dhe gropat e veta, por në Shqipëri po ndodh ajo që më parë askush nuk e imagjinonte. Drejtësia në Shqipëri, institucionet e reja, po godet njerëz, individë të lidhur me pushtetin apo jo, por këta të parët kanë më shumë rëndësi se këta të tjerët.
Po tregojmë dhe ne bashkë me to, se koha e të paprekshmëve dhe të strehuarve nën ombrellën e pushtetit, ka mbaruar. Nuk di vend tjetër të rajonit që godet pa parë majtas, e djathtas, por vetëm drejtë. Cilido që ka punë me drejtësinë duhet të marrë avokat, qeveria nuk ofron shërbime avokatie për askënd”, deklaroi Rama gjatë konferencës për shtyp me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, dhe Komisionerin për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi.
Kujtojmë se sot është arrestuar kryebashkiaku i Bulqizës dhe 10 zyrtarë të tjerë, të akuzuar për korrupsion.
/s.f