Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Joseph Borrell mbajti fjalën e tij në konferencën e përbashkët me Edi Ramën dhe Oliver Varhelyin.
Ai tregoi se pas komunikimit me kryeministrin u ra dakord se qeveria shqiptare do të tërhiqet nga pasaportat e arta.
“Ne patëm mundësinë të mirëpresim deklaratën e zotit kryeministër që skema e pasaportave të arta nuk do të ndiqet më tej dhe kemi trajtuar çështje të tjera në mbledhjen tonë, sidomos polarizimin e forta të mjedisit politik në vend dhe shumë çështje të tjera të cilat do i diskutojë në detaje komisioneri Varhelyi,” – u shpreh Borrell, i cili përgëzoi Shqipërinë për ecurinë e reformës në drejtësi.
Zyrtari shtoi se është hera e parë në histori që mbahet Këshilli i Stabilizim Asociimit në Tiranë.
“Zakonisht këto mbledhje të rëndësishme vjetore mbahen në Bruksel ose në Luksemburg, por sot jemi në Tiranë për t’i treguar popullit shqiptar që jemi gjithnjë e më tepër pranë jush,” – u shpreh Borrell.
Sipas tij, ky është një mesazh ndaj rrugëtimit të vendit tonë drejt BE-së.
Kreu i qeverisë, Edi Rama ka shprehur mirënjohje për zyrtarët e lartë që po mbështesin integrimin në BE të Shqipërisë, e cila thotë se është në krye të trenit në këtë rajon. Po ashtu përmend përpjekjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi duke thënë se e sheh me admirim këtë proces. Rama thotë se dokumenti është gjëja më i mirë që mund t’i ndodhë.
“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen për gjithë mbështetjen që kemi marrë prej jush dhe komisionerit Varhelyi me një process që ka qenë tejet i vështirë dhe me një periudhë kohe jo të shkurtër shumë i padrejtë drejt Shqipërisë prej konjukturave politike.
Ju na keni dëshmuar sërish respekt, përkushtim dhe vullnet të palëkundur për të na mbështetur në këtë rrugë që tanimë është e celur, e drejtë dhe natyrisht jo pa vështirësitë e veta. Më vjen shumë mirë që atmosfera e kësaj mbledhje ishte jashtëzakonisht positive.
Kemi dakordësi të plotë në të gjithë boshtin e kësaj marrëdhënie strategjike. Shqipëria sot nuk është më në fund të trenit të integrimit por në krye në këtë rajon ku roli ynë vlerësohet si model në aspektin e promovimit të paqes, dialogut, normalizimit. Më lejoni t’ju them që e shohim me admirim përpjekjen tuaj për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Në këndvështrimin tonë, dokumenti është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë dhe dua të besoj që asnjëra palë nuk do ia lejojë vetes që të mos e përqafojë plotësisht dokumentin dhe programin e implementimit të tij se realisht BE i kanë ofruar Kosovës, Serbisë, rjaonit, gjeneratave të tjera një rrugë të re”, tha Rama.
/s.f