Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hodhi sot shortin për të përcaktuar relatorin e kërkesës ankimore të depozituar nga Partia Demokratike. Nga hedhja e shortit u caktua se relator do të jetë Koli Bele.
Ankimimi u depozitua nga përfaqësuesi ligjor i PD-së, Indrit Sefa, i cili e kishte paralajmëruar prej kohësh këtë hap ligjor.
Nëse KAS do të lërë në fuqi vendimin e Celibashit, atëherë PD ka të drejtë që brenda 5 ditëve t’i drejtohet Kolegjit Zgjedhor.
Kreu i Komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj, e cilësoi vendimin e KQZ-së për të lënë këtë forcë politike jashtë zgjedhjeve vendore, si vendim i ndikuar nga aktorë politikë. Ai akuzon, kryekomisionerin e KQZ se nuk mundet të ndajë tifozërinë personale nga faktet juridike.
PD-ja akuzoi kryekomisionerin e KQZ-së, Ilirian Celibashi se po interpreton gabim ligjin duke dhënë vendim politik në dëm të kësaj force politike.
KQZ-ja i la 48 orë kohë PD që të plotësonte dokumentet për regjistrimin e PD-së, duke arsyetuar se autorizimi i dhënë nga Lulzim Basha për delegim kompetencash ishte i paplotë. Ky vendim nuk u pranua nga PD duke bërë të qartë se nuk do të depozitonte asnjë dokument shtesë me pretendimin se procedurat ishin kryer komfor me ligjin.
/a.r