Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ishte i ftuar në emisionin “Opinion” ku sqaroi vendimin e tij për të mos pranuar kërkesën e grupimit Alibeaj për të regjistruar PD-në në zgjedhjet e 14 Majit. Megjithatë ekziston një mundësi që ky vendim të kthehet në KAS ose në Kolegj Zgjedhor.
Celibashi u pyet këtë të martë se çfarë emri do të shënohet në fletën e votimit krahas PD-së nëse KAS ose Kolegji Zgjedhor i jep të drejtë grupimit Alibeaj. Kryekomisioneri la të kuptohej që do të vendosej emri i Lulzim Bashës, duke qenë se rezulton si kryetar i PD-së.
Blendi Fevziu: Nëse KAS ose Kolegji Zgjedhor i jep të drejtë, domethënë përfaqësimit të zotit Alibeaj që të regjistrohet në zgjedhje. Në fletë do shënohet, PS, Edi Rama. PL, Ilir Meta. Partia Demokratike, kush emër do shënohet?
Ilirjan Celibashi: Ja më thoni ju kush emër do shënohet?
Blendi Fevziu: Lulzim Basha? Si do shkojnë shqiptarët të votojnë, PD, Lulzim Basha? Pra edhe po u regjistrua Alibeaj, emri do mbetet Lulzim Basha?
Ilirjan Celibashi: Kush mund të ishte emri tjetër që do të shënohej në fletën e votimit përbri Partisë Demokratike?
Blendi Fevziu: Po si, Lulzim Basha nuk është në zgjedhje?
/e.d