Gazetari investigativ, Artan Hoxha deklaron se siguria në vend u vërtetua se është e brishtë, pas masakrës që ndodhi një ditë më parë në një lokal në zonën e ‘Don Boskos’, në kryeqytet. I ftuar mbrëmjen e sotme në ‘TPZ’. Hoxha ngriti pyetjen se çfarë mund të ndodhë në vend nëse pas kësaj masakre, të reagojë grupi i përfshirë në eliminimin e Ervis Martinajt.
‘Dëgjova kryeministrin që tha se këtu nuk ka punëtorë. Në këtë fushë, në krimin e organizuar pagesat janë më shtrenjtë, 500 mijë euro. Italianë, grekë, rusë ka pasur këtu, janë kapur, pra kemi sjellë vrasës me pagesë nga jashtë që të kryhen këtu vrasjet.
Ata dëshmuan sesa e brishtë është siguria në vend. Imagjinoni sikur aleanca tjetër, e përfshirë tek eleminimi i Martinajt të reagojë.‘- tha ndër të tjera gazetari.
Masakra ndodhi një natë më parë në Don Bosko. Dy persona qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të lokalit të Fatjon Muratit duke lënë të vdekur banakieren Mimoza Paja, 60 vjeçe dhe pesë të tjerë të plagosur, mes tyre dhe një vajzë 10-vjeçare që u dëmtua nga xhamat e thyer.
Të plagosurit e tjerë janë Sahit Murati (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Murati vetë ndodhej jashtë Shqipërisë në momentin që u krye atentati. Ai është i njohur në botën e krimit dhe si miku i ngushtë i Endrit Dokles, madje është marrë në pyetje për masakrën e Fushë Krujës, ku mbeti i vrarë Brilant Martinaj me dy miqtë e tij./m.j