Elisabeta Imeraj, ish-Drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, ka komentuar atentatin e mbrëmjes së djeshme në zonën e Don Boskos, ku një person humbi jetën dhe pesë të tjerë u plagosën.
E ftuar në emisionin “Open” në News24, Imeraj u shpreh se përgjegjësia në lidhje me ngjarjen e djeshme i takon të gjitha atyre strukturave që kanë për detyrë të ruajnë qetësinë publike dhe të parandalojnë ngjarje të tilla.
Ajo shtoi se rrethanat e ngjarjes tregojnë se ngjarja ka qenë e planifikuar dhe e mirëmenduar.
“Duke gjykuar nga rrethanat, do ta ndaja në disa momente kryesore.
Për sa i përket planit hetimor, pasja e një makine në dispozicion dhe pasja e armëve të tilla po studimi i zonës, jep idenë e një plani të mirëmenduar dhe të paraplanifikuar.
Elementi i dytë lidhet me pasojën, pra me personat e pafajshëm. qytetarët duhet të vënë në përgjegjësi prokurorinë e policinë se përse këto njerëz mund të lëvizin të armatosur në këto zona.
Duhen masa parandaluese.
Lidhet me shoqërinë dhe me mënyrën si ruhen personat e tillë.
Ajo që është e rëndësishme, që duhet të jemi të përgjegjshëm në reagim. Është e tepërt të kemi kaq shumë pasoja në njerëz të pafajshëm. Viktima ishte në punë.
Gishtin e përgjegjësisë ia vë strukturave që kanë detyrë ruajtjen e qetësisë publike dhe parandalimin e situatave të tilla.
Ajo që duhet të bëhet është që strukturat përkatëse të jenë në gjendje të reagojnë”, ka deklaruar Imeraj./m.j