Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Itali. Dy fëmijë 15 vjeçarë, Ajeti Meriton, shqiptar nga Kosova dhe Manuel Gabriel Tejada Reyes, nga Amerika e Jugut humbën jetën në orët e vona të pasditës të së dielës pasi u përplasën për vdekje nga treni.
Ngjarja tragjike ndodhi pranë stacionit të San Pietro, një fshat i Berbennos në Valtellina. Ata ishin bashkë me 8 shokë të tjerë, të gjithë banues në Sondrio. Të frikësuar se mund të humbisnin trenin që do i kthente në shtëpi, ata po kalonin me vrap shinat kur u përplasën nga treni që ishte me shpejtësi 100 km/h.
Miqtë panë ngjarjen e tmerrshme, kur 2 shokët mbetën të vdekur në shina. Ata s’kishin as celular në dorë apo kufje në vesh që mund të shpërqendroheshin, por thjesht nuk e panë trenin.
Në vendngjarje kanë mbërritur karabinierët, patrulla të ndryshme policie, zjarrfikës dhe agjentë të mjekësisë ligjore Sondrio. Linja Milano-Tirano është ndërprerë për një kohë të gjatë dhe është ngritur shërbimi zëvendësues i autobusëve.