Rritja e çmimeve të energjisë ka regjistruar një fitim record për gjigandin saudit të naftës. Korporata Aramco ka njoftuar një fitim rekord prej 161.1 miliardë dollarësh për vitin 2022. Ajo përfaqëson një rritje prej 46.5% për kompaninë shtetërore, krahasuar me vitin e kaluar.
Pas agresionit rus në Ukrainë, gjigandi saudit i naftës është firma e fundit energjitike që raporton fitime rekord.
Aramco deklaroi gjithashtu një divident prej 19.5 miliardë dollarësh për tremujorin tetor-dhjetor 2022, që do të paguhet në tremujorin e parë të këtij viti.
Shumica e shumës së dividentit do t’i shkojë qeverisë së Arabisë Saudite, e cila zotëron gati 95% të aksioneve në kompani.
ExxonMobil i Amerikës fitoi 55.7 miliardë dollarë dhe Shell i Britanisë raportoi 39.9 miliardë dollarë.
Nafta e papërpunuar Brent, çmimi bazë i naftës, tregtohet me rreth 82 dollarë për fuçi, megjithëse çmimet i kaluan 120 dollarë për fuçi në mars, pas pushtimit të Rusisë.
/a.r