Oerd Bylykbashi ka zhvilluar një bisedë me gazetarët gjatë seminarit “Opozita dhe media në demokraci” të organizuar nga Fondacioni “Konrad Adenauer”.
Nënkryetari i PD-së u shpreh për ndryshimet që duhet të bëhen në Kushtetutë, ku sipas tij kanë rënë balancat dhe shteti i së drejtës. Bylykbashi thotë se në Shqipëri kërcënohet liria individuale dhe e drejta e votës së lirë.
Ai ndalet dhe te zgjedhjet ku shton se këto nuk janë për te certifikuar vjedhjet e pushtetit po për zgjedhësit.
Postimi i plotë:
Një bisedë interaktive me gazetarë të politikës në seminarin me temë “Opozita dhe media në demokraci” të organizuar nga Fondacioni “Konrad Adenauer”. Diskutuam çfarë duhet reformuar në ligjin zgjedhor.
Ndryshimet duhet të fillojnë nga Kushtetuta. Kanë rënë balancat dhe kontrollet. Ka rënë shteti i së drejtës. Tashmë nuk kërcënohet e drejta e pronës apo liria ekonomike. Tashmë kërcënohen liritë individuale themelore dhe ato politike si e drejta e votës së lirë e të fshehtë dhe e drejta për t’u organizuar lirisht në parti.
Zgjedhjet e mira kanë në themel vullnetin e mirë. Asnjë ligj apo reformë nuk zëvendëson mungesën e vullnetit politik. Aq më pak mund të bllokojnë vullnetin e keq politik të një kryeministri që bën çmos të fitojë zgjedhjet duke përjashtuar opozitën nga zgjedhjet.
Pushteti dhe askush tjetër nuk përcaktojnë dot kush garon në zgjedhje. Zgjedhjet janë për zgjedhësit dhe jo për të çertifikuar vjedhjet e pushtetit./m.j