Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha ka akuzuar ambasadoren e SHBA-ve, Yuri Kim se ka ndërhyrë në gjykatë kundër opozitës dhe se me përpjekjet e saj po mban në pushtet kryeministrin Edi Rama.
Berisha përsëriti akuzat ndaj Kim, duke kërkuar që Departamenti i Shtetit dhe Kongresi Amerikan të hetojë veprimtarinë e saj në Shqipëri.
“Gonigalë të tjerë vazhdojnë betejën antikushtetuese antiligjore për të mbajtur me çdo kusht në pushtet Edi Ramën, njeriun që rekrutoi kryezbuluesin e SHBA-ve. Dhe kjo është McGonigalja me fustan guvernatorja Yuri Kim.
Këtu nga Korça do t’i shtoj një pyetje. Ndërhyrja jote në gjykatë kundër opozitës që e pranoi edhe vetë, në cilin parim e bazon? Të ka porositur eprori yt? Kurrën e kurrës!
Eprori yt është për shtetin ligjor, për pavarësinë e drejtësisë, për vendime të pavarura, por ty të ka porositur Edi Rama. Njësoj si ka korruptuar kundërzbuluesin e FBI-së, të ka korruptuar edhe ty. Çfarë të shtyn tzy zonjë?
Kanë sjellë në Vlorë dy gjeneratorë gjigandë të përdorur për dekada në Bangladesh jashtë çdo standarti vijnë në gjirin e Vlorës ndërkohë se ne kemi përdorur energji më shumë se kurrë në historinë tonë. Kushtojnë 90 mijë dollarë qira për qytetarët shqiptarët dhe Yuri Kim i inaguron me praninë e saj.
T’u kërkojë falje shqiptarëve për këto shushunja. Inspektori i DASH dhe Kongresi i SHBA-ve dhe FBI të hetojnë Yuri Kim sepse ajo e ka humbur reputacionin e SHBA-ve më shumë se kurrë ndonjëherë”- u shpreh Berisha./m.j