Pas vendimit të Kuvendit për ngritjen e Komisionit Hetimor për “Të Kontrolluar Zbatimin e Legjislacionit në Fuqi për Administrimin e Bazës së të Dhënave Shtetërore Tatimore”, këtë të premte u zhvillua mbledhja e parë e tij. Në një prononcim për mediat jashtë ambienteve ku u mbajt mbledhja, kryetari i komisionit hetimor Arben Ristani, përfaqësues i Partisë Demokratike, akuzoi mazhorancën për bllokim të punimeve të komisionit me qëllimin sipas tij të mos zbardhjes së vërtetës të kësaj çështje.
Për Partinë Socialiste dhe përfaqësuesit e saj në këtë komision, deklaratat dhe akuzat e përfaqësuesit të PD janë të pavërteta dhe dashakeqëse. Për deputeten Vasilika Hysi, deklarata dhe akuza të tilla nuk i shërbejnë punës, qëllimit dhe objektit të hetimit.
“Po të shikoni rendi i ditës ka vetëm rikonstituimin e komisionit hetimor. Pra nuk ka në axhendë asgjë tjetër. Ristani kërkoi që të quhet e miratuar rregullorja që është miratuar në komisionet e mëparshme, që të quhet i miratuar plani i veprimit dhe që të vazhdojë veprimtaria e këtij komisioni pikërisht aty ku është nga komisioni i dytë hetimor”, deklaroi Hysi.
Komisioni hetimor, vijoi ajo, mund të vazhdojë veprimtarinë e tij pasi të miratohet plani i hetimit. “Kolegët e opozitës kërkuan sot të bëjnë ndryshimin e planit të hetimit dhe të thërrasin për javën që vjen njerëz, ose autoritete që nuk janë aktualisht të miratuar nga plani i hetimit. Plani i hetimit bëhet nga fillimi. Mesa kuptova kolegët e opozitës tremben nga lista e personave që kanë rradhën për t’u thirrur në komision”, deklaroi deputetja e PS-s.
Prandaj, shtoi ajo, ne jemi të gatshëm të presim listën e propozimeve për ndryshimin në planin e hetimit. Pra nuk ka logjikë pse duhet ta kundërshtojmë, sepse është e ndaluar ta kundërshtosh. Pasi të bëjmë miratimin e planit hetimor nëse një dëshmitar nuk vjen ai thirret detyrimisht me polici”, përfundoi deputetja Hysi deklaratën për mediat.