Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar që prej orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme, të gjitha shërbimet e Policisë Rrugore, në të gjithë vendin, të kalojnë në shërbim të përforcuar, duke rritur prezencën e punonjësve të Policisë dhe të mjeteve logjistike, në akset rrugore.
Të gjitha makinat inteligjente dhe pajisjet bashkëkohore që Policia disponon, si radarët automatikë, dronët, kamerat dhe mjetet e pauniformuara, do të vijojnë të jenë në funksion 24/7, me tri turne, në të gjitha rrugët e vendit.
Gjatë 12 orëve të fundit: 53 leje drejtimi të pezulluara për shpejtësi, 13 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, 122 masa administrative për shpejtësi mbi normat e lejuara (pa sanksionin plotësues pezullim i lejes së drejtimit), 87 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, 106 masa për mosvendosje të rripit të sigurimit, 11 masa për manovra të gabuara dhe gara shpejtësie, 23 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të moderojnë shpejtësinë, pasi në disa segmente ka prezencë të ujit e të lagështirës; të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara.
Polica e Shtetit fton qytetarët dhe mediat që të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit apo neglizhencë të punonjësve të Policisë Rrugore, gjatë kryerjes së detyrës, duke qenë se kontributi i të gjithëve i shërben rritjes së sigurisë së jetës në rrugë.
/e.d