Kryeministri Edi Rama reagoi i kënaqur nga numri i madh i pjesëmarrësve në takimin e tij në Korçë, duke mos e fshehur edhe krenarinë për frekuentimin.
“Është një kënaqësi dhe krenari e veçantë që një takim që i kushtohet anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste të ketë kaq shumë njerëz të pranishëm e, për fat të keq, edhe thuajse po kaq shumë jashtë kësaj salle”, tha Rama, duke vazhduar me humor: “Duke vazhduar kështu, deri në ditëlindjen e PS, ku do dyfishohemi, takimin tjetër, do ta bëjmë në stadium”.
Më tej kryetari socialist shtoi se kjo pjesëmarrje nuk duhet të jetë befasuese, duke ia atribuar atë punës së madhe që ka bërë qeveria në drejtimin e vendit.
“Jam i bindur që nuk ka asnjë çudi, asnjë surprizë, në këtë prurje të madhe, faktikisht prurja më e madhe në PS që kam parë qyshse e drejtoj këtë parti. Ajo që PS po bën në qeverisjen e vendit është një motiv shumë i fortë për qytetarët, pavarësisht moshës, krahinës, që t’i bashkohen Partisë Socialiste. Në këto dy vjet e gjysmë, ne padyshim nuk kemi bërë gjithçka, por kemi bërë aq sa mjafton për çdo njeri të arsyeshëm për të kuptuar që ne jemi e vetmja fuqi që mund ta ndryshojë e çojë shqipprinë në drejtimin e duhur”.
Në këtë aspekt, Rama tha se Korça është qyteti që e vërteton më së miri mënyrën e ndryshimit të Shqipërisë nën udhëheqjen e socialistëve.
“Pa dyshim, Korça është një nga ato zona të Shqipërisë ku PS mund të dëshmojë me fuqinë e shembullit aftësinë e vet për të projektuar një vizion dhe për të realizuar hap pas hapi ndërtimin e atij vizioni. Korça është bërë një destinacion për shumë shqiptarë nga të gjitha anët e Shqipërisë, jo vetëm për festën e birrës, por pothuajse për çdo fundjavë”, tha kryeministri.
“Jam i bindur që me ndihmën që do të japim për Korçën e të gjitha bashkitë e këtij qarku që ndryshimi do të jetë edhe më i madh se ndryshimi i këtyre dy viteve e gjysmë deri tani. E thonë shifrat që në këto dy vjet e gjysmë me PS në drejtim në Korçë është investuar nga Tirana më shumë se në 20 vjetët e mëparshëm së bashku”, theksoi Rama.
JavaNews