Socialistët nuk pritet të eksperimentojnë në listën e kandidatëve që do çojnë përballë kundërshtarëve në zgjedhjet vendore, pasi 70% të kryetarëve aktualë do t’u jepet një mundësi e re.
Pikëpyetja më e madhe zhvendoset në Vlorë, pasi kryetari Dritan Leli dogji shansin në 2021, kur refuzoi ftesën e Edi Ramës për të qenë pjesë e listës së kandidatëve për zgjedhjet parlamentare.
Për qytetin bregdetar shumë të lakmuar, Edi Rama shkatërroi ambicien e të gjithë deputetëve që i kishin drejtuar sytë duke u ndaluar kandidimin në këtë qark.
Ndonëse ende nuk është vendosur, PS po shqyrton disa opsione për Vlorën, por që verdiktin përfundimtar pritet ta japë kryesocialisti i cili jo pak herë ka rezervuar surpriza në këtë proces.
Në pikëpyetje është dhe Ardian Guma në Sarandë si dhe Jorgo Goro në Himarë, ky i fundit jo pak i shënjestruar nga Kryeministri për performancën e dobët në krye të bashkisë.
Në qarkun e Fierit rrezikon kryebashkiaku i Divjakës, Fredi Kokoneshi, i njohur si bashkëpunëtor i Erion Braces. Për këtë bashki, Partia Socialiste po kërkon një kandidat të ri.
Në dyshim është vendosur edhe emri i Kastriot Gurrës në Librazhd, ndërsa në Gramsh do të vihet me një risi pasi do të kandidohet deputeti Bes Ajazi.
Debate brenda PS ka pasur edhe në Durrës, por sinjalet janë që Emiriana Sako do të zyrtarizohet si kandidate. Dy kryetarët aktualë të Tiranës dhe Elbasanit mbeten të padiskutueshëm, ndërsa betejën për bastionin e së djathtës, Shkodrën, socialistët do t’ia besojnë Benet Becit.
KLAN / a.r