Klevis Ruçaj,i riu që ndërroi jetë një natë më parë gjatë aksidentit tragjik me tre viktima kishte një vit e pak muaj që ishte pajisur me patentë.
Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat mësoi se megjithëse kishte pak kohë që ishte drejtues mjeti, ai ishte ndëshkuar pesë herë nga policia për shkelje të ndryshme.
Konkretisht:
Ndëshkuar për parakalim dhe veprime të ndaluara më 6 shtator.
Nuk zbatoi sinjalistikën 7 tetor 2022.
Gjobitur për shpejtësi 15 nëntor 2022.
Është kapur me celular në drejtimin e mjetit 9 dhjetor 2022.
Pa siguracion dhe nuk zbatoi sinjalistikën 27 janar 2022.
Si ndodhi aksidenti tragjik?
Automjeti tip “Audi” me drejtues 20-vjeçarin Klevis Ruçaj, me dy vajza pasagjere në makinë, ka qenë duke udhëtuar në unazën lindore me drejtim lëvizje nga Farka për te rrethrrotullimi pranë një qendre tregtare. Por, për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara, mjeti nuk u fut në rrethrrotullim por u përplas me barrierat anësore duke i çarë ato e duke përfunduar disa metra më poshtë ku u përplas me një mjet tjetër për po udhëtonte drejt Elbasanit, një automjet tip “Honda”, me drejtues shtetasin me iniciale Q. K., rreth 60 vjeç.
Dy vajzat pasagjere humbën jetën në vendngjarje, ndërsa pas disa orësh betejë për jetën në spital, ndërroi jetë edhe shoferi 20-vjeçar. Të plagosur kanë mbetur dhe drejtuesi i “Honda-s” dhe dy pasagjerët e tjerë.
Nga matjet e kryera në terren nga ekspertët ka rezultuar se “Audi” udhëtonte me një shpejtësi mbi 200 km në orë dhe shenjat e para të frenimit i ka pasur vetëm 27 metra larg rrotullimit duke mos pasur asnjë mundësi për shmangien e këtij aksidenti të rëndë.
Kjo zonë edhe më herët ka pasur problem për sa i përket aksidenteve me pasoja kryesisht të mjeteve që udhëtonin nga Elbasani në Tiranë. Këto aksidente sollën edhe nevojën për të rindërtuar rrugën duke krijuar këtë rrethrrotullim që sërish nuk i shmangu aksidentet. /Top Channel/
/e.d