Afati prej 48 orësh që KQZ vendosi për paraqitjen e plotë të dokumentacionit të PD-së për t’u regjistruar në zgjedhje ka bërë që një firmë e Lulzim Bashës i cili është juridikisht kryetar, të shihet si zgjidhje për këtë ngërç politik.
Analisti dhe gazetari, Nikoll Lesi i ftuar në studion e emisionit ‘Rela Story’ me gazetarin Sokol Balla në Report TV, tha se zgjidhja e vetme për regjistrimin e PD-së në zgjedhje, është që Basha të rikthehet si kryetar i partisë dhe të drejtojë fushatën për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në 14 maj, duke qenë se nevojitet firma e tij për regjistrimin e partisë Demokratike.
“Fakti që rezulton në gjykatë Basha kryetar, si dhe deklarata e tij që dha dorëheqje, ai po të ketë burrëri, le të dali, nuk ka punë më Alibeaj të drejtojë partinë. Por të dali në përballje, në fushatë. Po të kisha qenë në vendin e tij, kisha dalë në fushatë. Duhet të dali, jo të fshihet pas Alibeajt”- u shpreh Lesi.
Nga ana tjetër, analisti, Skënder Minxhozi tha se diçka e tillë nuk duhet të ndodhte dhe shtoi se e vetmja gjë që duhet të bëjë Lulzim Basha është të firmosë dokumentin e kërkuar nga KQZ për të bërë regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet lokale të 14 majit.
“Lulzim Basha juridikisht është kryetar i bashkisë. Lulzim Basha ka ikur, nuk është më. Ai është një zyrtar që po pret pasardhësin. Në pritje të pasardhësit, ka të drejtën e firmës. Unë prap vazhdoj të mendoj se edhe pse i dorëhequr, ai ka të drejtën e firmës dhe duhet të vërë një firmë që mos të pengojë PD-në të regjistrohet në zgjedhje”- tha Minxhozi.
Ndërsa anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Roland Bejko tha se rikthimi i Bashës nuk është i moralshëm por shtoi se brenda afatit 48 orësh të dhënë nga KQZ për të dorëzuar dokumentin e firmosur nga kryetari, të nesërmen do të mbahet mbledhje e kryesisë dhe e grupit parlamentar.
Ai tha se situata është krijuar për shkak të mungesës së vëmendjes që Basha duhet të kishte kushtuar ndaj procedurave ligjore.
“Kthimi i Bashës nuk është i moralshëm sepse Basha është larguar prej një viti. Kemi 48 orë në dispozicion. Nesër në një orar, mblidhet kryesia dhe grupi parlamentar i PD-së. Duke qenë se jemi në një sistem partokrat, ku kryetari ka qenë gjithmonë i fuqishëm në çdo parti tjetër, asnjëherë nuk i kanë kushtuar vëmendje procedurave dhe ligjit të partisë për ta respektuar atë. Prandaj jemi në këtë gjendje që jemi sot. Ditën që Basha dha dorëheqjen i thashë të kopsiste të gjitha dokumentet”-tha Bejko.