Policia greke ka arritur të gjejë kamerat e lokalit në “Nea Ionia” të Athinës ku në 21 shkurt u vra 40 vjeçari nga Delvina, Pëllumb Islami.
Mediat greke shkruajnë se pamjet filmike ishin fshehur qëllimisht nga pronari i lokalit, i cili tashmë ndiqet penalisht për “dëshmi të rreme” dhe “përkrahje të autorit të krimit”. Nga këqyrja e pamjeve filmike rezulton se Pëllumb Islami ndodhej në tavolinë me një shtetas të armatosur.
Pas pak në lokal mbërrijnë 6 persona të tjerë dhe aty nis përleshja. Rezulton se personat që kanë qëlluar me armë zjarri janë personi që shoqërohej me Islamin dhe një nga 6 personat që hyri më pas në lokal. Madje para të shtënave ka pasur përleshje me duar dhe me qytën e armës.
Nga pamjet filmike rezulton se personat e përfshirë në total janë 8. Policia ka identifikuar 2 persona të përfshirë në vrasje dhe 6 të tjerë për pjesëmarrje në krim. Deri tani nuk është arritur të arrestohet njeri. Mendohet se disa fshihen në Shqipëri e disa në Greqi./m.j