Bashkia e Tiranës do të lidhë një marrëveshje me të gjitha supermarketet e qytetit për t’ua shpërndarë familjeve në nevojë produktet pak muaj para skadencës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një takim të zhvilluar në Pezë me kryepleqtë e fshatrave që i janë bashkuar kryeqytetit me reformën e re territoriale, tha se kjo nismë do t’i paraqitet së shpejti Këshillit Bashkiak.
“Në Këshillin Bashkiak do të paraqesim shumë shpejt një nismë, në mënyrë që supermarketet të mos i hedhin ushqimet që kanë afat skadence në muajin e ardhshëm, por ato t’u kalojnë familjeve në nevojë”, u shpreh Veliaj. Sipas tij, në një qytet si Tirana askush s’duhet të ngryset pa një vakt. Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se në Tiranë funksionojnë disa menca sociale, ku çdo drekë shërbehet ushqim i ngrohtë për njerëzit në nevojë.
“Asnjë supermarket nuk duhet të hedhë poshtë ushqime, të paktën një muaj para skadencës. Është e panevojshme që supermarketet të paguajnë dikë për të groposur ushqimet, ndërkohë që pjesën e pashitur mund ta konsumojnë brenda afatit të skadencës nevojtarët e familjarët që s’kanë mundësi dhe që sot e kanë të nevojshme ndihmën e bashkisë”, tha Veliaj. Ai kërkoi nga të gjithë kryepleqtë që të përgatisin një listë me personat në nevojë, duke vendosur prioritet familjet me shumë fëmijë.
Më tej, kryebashkiaku theksoi nevojën e rritjes së rolit të kryepleqve. “Nuk besoj se ka vlerësim më të madh për një njeri se sa vlerësimi nga komuniteti ku jeton. Kryepleqtë kanë ekzistuar edhe më parë, nuk janë shpikje e kësaj reforme administrative. Por, ajo që besoj se është e re është mënyra se si ne duam ta trajtojmë këtë pozicion kaq të nderuar në çdo fshat”, u shpreh Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës kërkoi nga kryepleqtë që të hartojnë një inventar të të gjitha nevojave të zonës. “Ne po bëjmë një ristrukturim mënyrës se si funksionon bashkia, për t’u siguruar që kemi një lidhje në nivel kapilar me çdo qytetar të Tiranës. Për qytetin e Tiranës, ne kemi një sistem të ndërlidhësve. Me të njëjtën logjikë, e kemi edhe në fshat. Çdo familje në fshat ka kryeplakun e fshatit, i cili lidhet direkt me administratorin, kurse administratori me kryetarin e Bashkisë”, tha Veliaj. Sipas tij, në këtë mënyrë bashkia i kryen më mirë detyrat e saj kur diskutohet buxheti, investimet apo edhe rastet e menaxhimit të fatkeqësive, siç janë emergjencat me reshjet e mëdha të shiut.
Në këtë takim, kryetari i Bashkisë së Tiranës preku dhe kompetencat e kryepleqve duke kërkuar rritjen e rolit të tyre në komunitet dhe koordinimin me administratorët apo me strukturat e bashkisë për të gjitha çështjet që kërkojnë një zgjidhje apo që u shërbejnë banorëve të zonës.