Pas 5 muajsh, grupimi “Alibeaj” ka nisur tentativën e dytë për të negociuar bashkimin me PD e drejtuar nga Sali Berisha. Tre negociatorët e Alibeajt Gazment Bardhi, Merita Bakiu dhe Flamur Hoxha do të vendosin kontaktet me grupin tjeter në parti. Por, kjo është kundërshtuar nga kreu i Këshillit Kombëtar Edi Paloka, i cili e cilëson këtë ftesë një hipokrizi.
“Në rastin më të mirë është thjesht hipokrizi dhe koha e ka provuar këtë. Janë hapur pas aktit që ndodhi në Gjykatë, hapur bashkëpunëtorë të Ramës dhe tashi papritur propozokan bashkëpunim me Partinë Demokratike.”
PD e drejtuar nga Berisha, refuzon propozimin e Alibeajt për bashkimin e kandidatëve të dalë nga primaret me ata që do të përzgjidhen prej tij.
“Këta janë bashkëpunëtorë dhe shërbëtorë të Ramës, kështuqë edhe kaq do mjaftonte, as për ta dëgjua propozimin e tyre. Alibeaj tha të vijmë t’i marrim e t’i peshojmë këta kandidatë të primareve dhe të zgjedhim midis tyre se kush do përfaqësojë etj etj.”
Për koalicionin që PD do të ketë për zgjedhjet lokale, Paloka tha se vijojnë bisedimet me partitë opozitare.
“Partitë me të cilat kemi marrëveshje praktikisht, po bisedohet dhe me partitë e tjera.”
Ai akuzon Kryeministrin Rama për ndërhyrje në Gjykatë për çështjen e logos dhe vulës së PD.
“Gjithë ajo që ndodhi në Gjykatën e Apelit ku 3 pupacë me toga të zeza lexuan vendimin e Ramës i cili në bashkëpunim me shërbëtorët e tij tentoi të lërë jashtë zgjedhjeve PD është një lojë që do vazhdojë edhe për ca kohë.”
Tashmë pritet vendimi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve se cilës prej palëve në PD do t’i japë të drejtën për të garuar në zgjedhjet e 14 Majit.
/s.f