Nga vrasjet e Dan Hutrës në familjen Hysa në Kodër Kamëz, Erjon Hysa humbi bashkëshorten e tij shtatzënë Hasime Dafkun dhe motrën e tij Mevlute Hysa. Ndërsa iu plagosën motra tjetër Elena Hysa e cila ka qenë bashkëjetuesja e Dan Hutrës, dhe nëna Kujtime Hysa 60 vjeçe.
Në një intervistë ekskluzive për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, Erjon Hysa tregon se si mësoi ai lajmin e kobshëm, teksa ka qenë në Gjermani së bashku me vëllain e tij, aty ku jetojnë e punojnë.
Spartak Koka: Ti ke humbur dy pjesëtarë shumë të rëndësishëm.
Erjon Hysa: Kam humbur motrën edhe nusen. Nusja ka qenë shtatzënë 2 muajshe.
Spartak Koka: Ti ku ke qenë?
Erjon Hysa: Kam qenë në Gjermani.
Spartak Koka: Si e more vesh lajmin?
Erjon Hysa: Unë kam qenë në punë atë ditë, kam qenë në skelë. Kanë marrë vëllain në telefon, një shoku i vetë, edhe kur e dëgjoj vëllain duke bërtitur. Çfarë është? S’po më tregonte. Zbrita atje, ai po qante me të madhe. Edhe kur më ka treguar se ka vdekur Lutja (motra) dhe Hasimja (nusja). I kanë vrarë.
Spartak Koka: Kur kishte folur për herë të fundit me të?
Erjon Hysa: Kisha folur në mëngjes.
Spartak Koka: Asnjë kërcënim, asnjë rrezik të papritur?
Erjon Hysa: Jo jo pabesi. Se të ishte ashtu, kisha ardhur.
Spartak Koka: Me Dan Hutrën je takuar ndonjëherë?
Erjon Hysa: Jo asnjëherë.
Spartak Koka: Ke folur ndonjëherë në telefon?
Erjon Hysa: Në telefon kam folur vetëm një herë. Edhe kur kam folur, ai njeri s’më ka pëlqyer.
Spartak Koka: Përse?
Erjon Hysa: S’e di. Më tregonte dhe motra se kur del i jep makinës shpejt, ecën me shpejtësi.
/e.d