Krah kreut të qeverisë shqiptare, Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen e cilësoi Shqipërinë një partner të besuar të Danimarkës, ndërsa vlerësoi Kryeministrin Rama si një prej zërave më të fortë në Europë, kur bëhet fjalë për rëndësinë e një integrimi të plotë, midis Ballkanit Perëndimor dhe pjesës tjetër të Europës.
“Jam shumë e nderuar që jam kryeministrja e parë që vizitoj Shqipërinë. Sot kemi mundësinë të kemi një diskutim të drejtpërdrejt me njëri-tjetrin. Unë mendoj që ju jeni një nga zërat më të fortë në Europë kur bëhet fjalë për rëndësinë e një integrimi të plotë, midis Ballkanit Perëndimor dhe pjesës tjetër të Europës dhe kjo bëhet gjithnjë e më tepër e rëndësishme. Ndaj faleminderit që na ftuat. Shqipëria është një partner mjaft i vlerësuar për Danimarkën dhe ju jeni një aleat mjaft i besuar i NATO-s. Në një kohë kur Bashkimi Europian, është më i rëndësishëm se kurrë më parë, unë shpresoj që të mund ndërtojmë një partneritet më të fortë dhe jam shumë e sigurt që do të jemi në gjendje ta bëjmë një gjë të tillë”.
Vlerësim për Shqipërinë Frederiksen kishte edhe për qëndrimin ndaj agresionit rus.
“Pak ditë më parë, shënjuam 1 vjetorin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe kjo ishte dhe një temat kryesore tonat sot. Ju keni reaguar mjaft qartë e shumë fort ndaj kësaj situate, me punën në Këshillin e Sigurimit. Ju jeni bashkuar me sanksionet e BE qysh prej fillesës dhe jeni angazhuar në NATO e keni qenë një mbështetës mjaft i fortë i Ukrainës. Kjo është e rëndësishme për të gjithë ne mendoj. Dhe siç ju më thatë, të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm për situatën shumë të brishtë, në shumë vende të Ballkanit Perëndimor. Përkushtimi juaj ndaj vlerave europiane, është i rëndësishëm. Kjo është një pjesë e fortë e çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. E di që është një punë mjaft e madhe dhe kërkon shumë zgjidhje, reforma, por unë e di që ju keni kapacitetin për ta bërë këtë dhe ne ju mbështesim fort në rrugëtimin, në drejtimin tuaj.
Më tej kryeministra daneze shtoi se “Më vjen shumë keq për gjithë gjërat që ju po përjetoni në Shqipëri për shkak të luftës, e di që shumë njerëz vuajnë për shkak të inflacionit dhe të çmimeve të energjisë dhe na duhet të punojmë së bashku edhe për këto çështje. Së fundi do të doja të theksoja rëndësinë edhe të ndërtimit të një bashkëpunimin edhe më të fortë për emigracionin së brendshmi në BE, por edhe kur vjen fjala për kufijtë e jashtëm. Sërish faleminderit shumë që na mirëpritët sot dhe faleminderit që jeni një zë kaq i fortë kur vjen fjala për vlerat europiane”.
/a.r