Shqipëria prodhoi 7 teravat energji elektrike në vitin 2022 ndërsa nevojat ishin për 7.9 teravat, sasi kjo u mbulua nga blerjet në tregun e huaj. Prodhimi vjetor del të jetë 22% më i ulët se ai i vitit 2021, kur Hidrocentralet vendase prodhuan 8.9 teravat.
Rënia e prodhimit e kombinuar me blerjen në tregjet e huaja që ishin më të larta se shitjet, bënë që vendi të shkonte për herë të dytë në 33 vitet e fundit në gjendje të jashtëzakonshme energjetike.
Megjithatë kriza e thelluar edhe për shkak të cmimeve të larta të rrymës në treg, u shoqërua me masa kursimi, të nxitura nga thirrjet e herëpashershme të qeverisë.
Ata që kanë reflektuar më shumë, ishin bizneset, që harxhuan 10% më pak se viti 2021, ndërsa konsumi i familjarëve u ul me 0.5%.
Sipas ndarjes së tregut, energjia e prodhuar u mbulua në masën 55 % nga hidrocentralet publike, 44% nga hidrocentralet private dhe koncesionare, dhe 1 % panelet diellore.
Situata e rëndë në sektor nuk u shoqërua me rritje të cmimit të faturave, ndërkohë që për periudhën në vazhdim qeveria synon të rritë prodhimin me investime në TEC-e lundruese dhe impiante fotovoltaike dhe eolike.
/a.r